Monthly Archives: July 2014

Mendime te para mbi Waterford KM: Nje sfide e madhe

Autor: Redon Kurti (UWC Waterford Kamhlaba 2014 – 2016)

Une quhem Redon Kurti dhe jam perzgjedhur per te ndjekur nje nder shkollat e UWC, konkretisht UWC Waterford Kamhlaba. Per UWC fillimisht kam degjuar kur vellai im I madh u perzgjodh ne UWC Adriatic, ne Itali, dhe qe atehere gjithmone e kam menduar si nje mundesi studimin ne UWC. Eshte te menduarit dhe aspiruarit e vazhdueshem per kete mundesi, qe e ben aprovimin nga Komiteti Shqiptar per te ndjekur kete shkolle te me jape nje ndjenje te vecante kenaqesie dhe sadisfaksioni. Seleksionimi im me ka dhene gjithashu nje sens sfide e sprove sidomos duke patur parasysh vendin ku une jam caktuar te studioj I cili eshte Swaziland-i .Per te gjithe ne aplikantet per shkollat e rrjetit UWC, Swaziland-i paraqet nje emer te panjohur, nje vend te panjohur, dhe gati gati pak te frikshem. Jo vetem largesia e ketij vendi nga Shqiperia por dhe te qenit pjese e nje kontinenti per te cilin skam menduar shume, Afrika, ndikon ne veshtiresine e perzgjedhjes se ketij opsioni. Nderkohe qe nga ana tjeter zgjedhja e kesaj mundesie, pikerisht per keto te panjohura dhe kete diversitet qe ky vend ka me vendet e tjera rreth nesh, perben nje sfide qe ne fakt shkon ne te njejtin drejtim me moton e kesaj shkolle, qe eshte: te ndryshem, per te njohur boten dhe per ta ndryshuar ate.

Leave a comment

Filed under Uncategorized

Rruga që kam përpara

Autore: Kerol Kaskaviqi (UWC USA 2014 – 2016)

Në 17 vjet, rrugët e jetës ndahen në shumë pjesë, krijojnë harta mundësish. Disa rrugë kanë një krye e disa të tjera janë mure labirinti. Në këto 17 vjet harta e mundësive të mija ka qenë e gjerë, zgjedhjet kanë qenë të vështira, sfidat të mëdha. Kështu do të vazhdojë për shumë kohë shpresoj, por tani, në këtë moment, kam përpara një nga zgjedhjet më të mira e një nga sfidat më emocionuese, atë e të qenit pjesë e UWC.

Nuk është e thjeshtë të mësohem me idenë se më në fund një ëndërr kaq e madhe imja u bë realitet, ka ende shumë të tjera të cilat do ti sjell në jetë, por nëse ndalem këtu, është ende e pabesueshme. E jetoj ditën si më parë, duket sikur asgjë ska ndryshuar, por brenda meje e ndjej se cdo gjë do të ndryshojë së shpejti. Së shpejti dhe akuarelet e mia do të kenë ngjyrë tjetër, ajri do mbajë tjetër peshë dhe unë do zbuloj dita ditës pjesë të reja të vetes sime. Eksperienca që më pret është një botë e mbushur me ngjyra të reja për realitetin tim, por më duhet ta pranoj i kam ëndërruar këto ngjyra thuajse çdo natë.

Pres me entuziazëm ditën e parë që do të mund të shijoj ndjesinë e të qenit pjesë e një familjeje të re. Pres të jetë si një libër i cili të pëlqen aq shumë sa sytë dhe mendja jote smund të ngopen duke e lexuar e për rrjedhojë faqet rrëshkasin me shpejtësinë e dritës. Ndoshta do të jetë edhe më mirë se kaq, sepse librin do ta shkruaj unë, e ndoshta një ditë do ta rilexoj. Do hedh në ato faqe ditët e mija intensive, plot aktivitete, netët pa gjumë, ndjenjat që do të ma bëjnë kraharorin të shpërthejë, njerëzit dhe shenjat që ata do të lenë në jetën time.

Jam në këtë rrugë të jetës sime tani e nuk mund të isha më e lumtur se kaq.

Leave a comment

Filed under Uncategorized